Platforma e Këshillimit Kombëtar

Nisma më e re e qeverisë është procesi i këshillimit kombëtar. Në parim një ide shumë e mirë dhe për tu lavdëruar. Por unë shikoj dy probleme:

  1. Një platformë kombëtare e kontrolluar dhe e manaxhuar nga qeveria nuk mund të funksionojë. Qeveria duhet të jetë vetëm njëra nga palët e interesuara (stakeholders). Përndryshe, nqs e vendos vetëm qeveria se çfarë pyetjesh duhen bërë, dhe nqs rezultatet e sondazheve i verifikon dhe i interpreton vetëm qeveria, dhe nqs në sondazhe marrin pjesë vetëm besnikët e qeverisë (elektorati i PS-së), kjo nismë do jetë e dështuar dhe një gënjeshtër e madhe, për vetë qeverinë dhe për të tjerët.
  2. Mënyra e implementimit ka shumë rëndësi. Nqs i lihet në dorë AKSHI-t që ta ndërtojë një platformë të tillë (ose nqs e ka ndërtuar tashmë, me teknologjinë dhe mbështetjen e Microsoft-it), me siguri që nuk është e përshtatshme, sepse softe të tilla nuk është e thjeshtë që të ndërtohen (të paktën jo në një kohë të shkurtër). Një formular sondazhi (poll) me disa pyetje nuk mjafton.

Sugjerimi im do ishte që të përdorej ndonjë program open-source i sprovuar për këto punë, p.sh. LiquidFeedback (a keni ndonjë sugjerim tjetër?):

Mund ta instalojmë edhe vetë por do kërkojë ca kohë. Po të kërkojmë ndihmën e skuadrës që e ka ndërtuar (për afro 2500 EUR), ata mund ta instalojnë (në serverin tonë) dhe ta konfigurojnë shumë shpejt.

Por problemi kryesor nuk qëndron te instalimi, por te vënia në punë. Më e mira do ishte nqs qeveria dhe organizata të tjera civile do ta mbështesnin dhe do binin dakort që ta përdornin këtë program.

A ka ndonjë mënyrë që tia bëjmë këtë propozim qeverisë? A kemi kontakte me organizata të tjera të cilave mund tua propozojmë përdorimin e këtij programi dhe tu kërkojmë bashkëpunim?